VIDEO/ Nisin valët e para të tsunamit pas tërmetit 8.7 ballë

3 Min Read
VIDEO/ Nisin valët e para të tsunamit pas tërmetit 8.7 ballë

Valë tsunami kanë mbërritur në Hawai pak minuta më parë pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 8.8 që goditi afër gadishullit Kamçatka të Rusisë, një nga tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë.

Tërmeti ndodhi rreth orës 19:24 ET, rreth 125 kilometra në lindje-juglindje të qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS), në një thellësi rreth 19 kilometra.

 

Valët e para të tsunamit arritën në Hawai. Guvernatori i shtetit, Josh Green, deklaroi se deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha: “Nuk kemi parë një valë me pasoja serioze, gjë që është një lehtësim për ne.”

Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se një tsunami përbën rrezik për të gjitha bregdetet, pavarësisht orientimit të tyre, dhe valët mund të vazhdojnë për orë të tëra pas goditjes fillestare.

Qytetarët dhe turistët janë urdhëruar të largohen nga zonat bregdetare dhe të ngjiten në zona më të larta, pasi lartësia e mundshme e valëve pritet të arrijë deri në 3 metra.

Në të gjithë rajonin e Oqeanit Paqësor u lëshuan paralajmërime, përfshirë pjesën perëndimore të Alaskës, të gjithë arkipelagun Aleutian, Kaliforninë veriore dhe Hawaïn. Në shumë zona të Bregut Perëndimor të SHBA, parashikohen valë më të vogla se 30 cm, por shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se edhe një valë e tillë mund të krijojë rryma të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.

Presidenti Donald Trump publikoi në rrjetin X se një paralajmërim tsunami është aktiv për Hawaiin, ndërsa për Alaskën dhe bregun perëndimor të SHBA është shpallur gjendje vrojtimi. “Qëndroni të fortë dhe të sigurt!”, shkroi ai.

Në Honolulu dhe zona të tjera urbane të Hawaiit u panë radhë të gjata në stacionet e karburantit dhe trafik i rënduar, ndërsa sirenat paralajmëruese u dëgjuan çdo orë. Disa banorë kujtuan alarmin e rremë për raketën balistike në vitin 2018 dhe thanë se nuk i marrin gjithmonë seriozisht këto sinjalizime.

Në Kaliforni dhe në brigjet e Oregonit e Washingtonit, autoritetet po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për të dhënë alarmin nëse valët rrezikojnë komunitetet bregdetare. Në San Diego, zyrtarët thanë se aktualisht rajoni është në nivel këshillimi, por jo alarmi.

Tsunami pritet të ketë ndikim të pjesshëm edhe në pjesë të tjera të Oqeanit Paqësor, përfshirë disa nga ishujt e Azisë dhe Australinë, në varësi të përhapjes së valëve në orët në vijim.