Një ngjarje tepër e rëndë ka ndodhur në spitalin e fëmijëve në qytetin Lille të Francës, ku një foshnje e porsalindur ka humbur jetën pasi u hodh në dysheme nga një fëmijë tjetër, vetëm gjashtë vjeç.
E mitura, e quajtur Zayneb-Cassandra, kishte vetëm pesë ditë që kishte lindur dhe ndodhej në repartin Rainbow të spitalit, nën kujdesin intensiv.
Ajo u gjet pa ndjenja pranë krevatit të saj më 11 korrik dhe, sipas autoriteteve, kishte pësuar një dëmtim traumatik në tru.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë me ndihmën e aparaturave, foshnja ndërroi jetë katër ditë më vonë, të martën.
Zyra e prokurorisë në Lille konfirmoi se vdekja u shkaktua nga një traumë që përputhet me një rënie në dysheme. Hetimet paraprake tregojnë se një fëmijë gjashtëvjeçar, pjesë e një familjeje tjetër në të njëjtin repart, besohet se ka marrë foshnjën nga krevati dhe e ka hedhur në tokë. Ai është parë nga dëshmitarët duke qëndruar pranë krevatit të bebit në kohën e ngjarjes.
Policia ka nisur hetime për të zbardhur të plotë rrethanat dhe për të kuptuar si ka qenë e mundur që një fëmijë pa mbikëqyrje të ketë hyrë në një dhomë ku ndodhej një foshnjë në gjendje të brishtë shëndetësore.
Dëshmitë e para flasin për një mungesë të dukshme kontrolli në repart, ku i mituri ishte lënë i lirë të lëvizte mes dhomave të pacientëve.
Zayneb-Cassandra kishte lindur para kohe, gjashtë javë më herët se data e parashikuar, por ishte në gjendje të stabilizuar deri në momentin kur ndodhi incidenti fatal.
Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimi do të përqendrohet edhe tek përgjegjësia institucionale për sigurinë e fëmijëve në ambiente të tilla.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik në Francë.