Pas dy rasteve të mëparshme/ Edhe ish-banorja e “Big Brother VIP” takim special me të burgosurit në Fushë-Krujë

2 Min Read
Pas dy rasteve të mëparshme/ Edhe ish-banorja e “Big Brother VIP” takim special me të burgosurit në Fushë-Krujë

Një tjetër emër i njohur i ekranit është përfshirë në skandalin që po trondit institucionet penitenciare në vend.

Në burgun e Fushë-Krujës, një vajzë me inicialet E.Dh., e njohur për publikun shqiptar si ish-banore e “Big Brother VIP”, është përmendur për takime të vazhdueshme me një të burgosur të njohur për përfshirje në krim të organizuar.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se E.Dh. thuhet se ka zëvendësuar një tjetër vajzë të njohur, modele me inicialet K.K., e cila më herët kishte frekuentuar të njëjtin të dënuar në këtë burg.

Në këtë rast, bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar që lejon hyrje jo të protokolluara të vajzave të showbiz-it në ambiente të rezervuara për të burgosur të rrezikshëm.

Ngjarje të ngjashme janë evidentuar edhe në burgun e Peqinit, ku të njëjtat burime raportojnë se janë zhvilluar takime jashtë rregullave me të dënuar për krime të rënda, në disa raste madje pa asnjë gjurmë në regjistrat zyrtarë të hyrje-daljeve.

Skandali ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të ndërhyjë menjëherë. Janë pezulluar nga detyra shefi i policisë së burgut të Reçit, Dylber Beqiri, si dhe drejtori Leonard Mardoda, i cili mbante detyrën në mënyrë të komanduar. Të dy akuzohen se kanë pasur dijeni për hyrjet e pakontrolluara dhe nuk kanë marrë masa për ndalimin e tyre.

Ky zhvillim vjen pak javë pas një rasti tjetër të publikuar në media, ku një këngëtare u fut në burgun e Peqinit në orare jashtë çdo protokolli, për të takuar një emër të njohur të botës së krimit.

Dyshimet për përfshirjen e figurave publike në komunikim të privilegjuar me të dënuar për çështje të rënda penale po forcohen gjithnjë e më shumë, ndërkohë që pritet që hetimet të shtrihen edhe në institucione të tjera.

Autoritetet kanë paralajmëruar masa të forta administrative dhe hetimore për të gjitha rastet e shkeljes së sigurisë dhe lejimit të hyrjeve të paautorizuara në sistemin penitenciar.