Tragjike! Hapi gropë në rërën e plazhit për të luajtur, humb jetën 17-vjeçari

1 Min Read
Tragjike! Hapi gropë në rërën e plazhit për të luajtur, humb jetën 17-vjeçari

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në plazhin Montalto di Castro në Itali, ku një 17-vjeçar nga Roma ka humbur jetën pasi u bllokua në një gropë rreth 1.5 metra të thellë, të cilën e kishte hapur vetë në rërë.

Sipas mediave italiane, i riu po argëtohej me motrat dhe vëllezërit më të vegjël, por në një moment ata janë larguar, duke e lënë atë vetëm. Babai ndodhej në afërsi, por nuk e kuptoi menjëherë çfarë kishte ndodhur.

Kur u vu re mungesa e të riut, familjarët nisën kërkimet dhe, falë ndihmës së disa fëmijëve të tjerë në plazh, u zbulua vendi ku ai ishte bllokuar.

Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të policisë dhe ekipeve të emergjencës, 17-vjeçari nuk mundi të shpëtohej.

Nuk është ende e qartë nëse në momentin e ngjarjes kishte roje plazhi në detyrë. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.