Një qytetar ka denoncuar pranë “JOQ” një ngjarje të ndodhur ditën e sotme në plazhin e Spillesë, ku një i ri ka ndërhyrë për të shpëtuar një vajzë pasi nuk kishte ambulancë.
Denoncuesi shprehet se vajzës i ka rënë të fikët ndërsa policët e pranishëm nuk arritën të siguronin ambulancën pasi nuk kishte aty pranë. Fatmirësisht, ndërhyrja e qytetarit ka bërë që vajza të shpëtonte.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
Përshëndetje, si kaluat? Doja të dërgoja një shqetësim që pata sot në plazhin e Spilles! Ka ndodhur një incident sot në Spille! Një vajze i ka rënë të fikët edhe në një ambient pune disa persona i janë afruar për ndihmë, por nuk po jepnin rezultat. Gocës po fillonte t’i kalonte gjuha poshtë.
Në atë kohë kalon një patrullë policie bashkiake edhe janë vënë në lëvizje direkt, por kur kanë shkuar te ambulanca që ndodhej 50 metra më poshtë, na njoftojnë se nuk kishte ambulancë! Fati i asaj goçe ishte që atë moment ka ndërhyrë një djalë edhe në momentin e fundit e ka shpëtuar vajzën duke i nxjerrë gjuhën jashtë!
E dërgoj këtë për të vetmen arsye, sepse ai djali sot shpëtoi një jetë njeriu, se të ishte për urgjencën tonë, vajza do të kishte ikur me kohë! Djali e bëri dorën copë edhe iku pa kërkuar një faleminderit! Ju lutem publikojeni edhe anonim! Një respekt për atë djalë! Heroi i ditës!
Kjo ngjarje ngre edhe njëherë shqetësimet për mungesën e ambulancave funksionale në plazhet publike, sidomos gjatë sezonit turistik, kur rreziku për situata të papritura është i lartë. Autoritetet lokale dhe institucionet përgjegjëse pritet të japin një sqarim lidhur me këtë mungesë thelbësore.